Istogu natyrë e pastër ekologjike dhe me plotë burime të ujit të pijshëm
Istogu është një qytet i qetë afër bjeshkëve të Moknës me lartësi mbidetare deri në 2 155 m. Istogu ka sipërfaqe prej 453.84 km2. Kufizohet në lindje me Komunën e Skënderajt, në jug me Komunën e Klinës, në jug – perëndim dhe perëndim me Komunën e Pejës, në veri me Malin e Zi dhe Serbinë si dhe në veri – lindje kufizohet me Komunën e Zubin Potokut. Istogu ka natyrë të pastër ekologjike, me bjeshkë atraktive, me ujë të pijshëm, ujë termomineral, klimë të volitshme cilat janë bazë për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmi. Ky vend njihet me burime të ujit dhe rritje të peshqve dhe lidhet me rrugët kryesore në disa drejtime: Pejë, Mitrovicë, Prishtinë. Istogu është i pasur me hidrografi dhe atë Burimi i Lumit të Istogut, që ndodhet në afërsi të qytetit, ku rrjedhin 3 m3 ujë në sekondë, pastaj ekziston Burimi i Vrellës si dhe shumë lumenjtë të tjerë. E veçantë e kësaj zone është edhe Burimi i ujit termomineral me një kapacitet 17,5 litra / në sekond. Ky ujë ka tempertaurë 46 – 48 0C, me mundësi të zgjerimit dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve turistike termale. Uji i Banjës ka cilësi shëruese të sëmundjeve reumatike dhe të sëmundjeve tjera të ndryshme.
Lokaliteti i Istogut përmendet qysh nga koha antike. Sipas të dhënave historike ka ekzistuar një koloni romake e cila ka qenë e vendosur në lokacionin që përket Istogut të sotëm. Poashtu, Istogu përmendet si lokacion edhe ka fundi i shek. XIV kur kjo pjesë e Dardanisë ishte nën pushtimin sllav. Istogu ka edhe trashëgimi të pasur kulturore dhe mbetje me vlerë të madhe, ku sipas një hulumtimi të vonshëm në trevën e Podgurit, janë identifikuar: 72 kulla, një sërë mullinj me ujë si objekte të teknologjisë për bluarjen e drithit. Nga objektet fetare: 8 xhami, 3 mejtepe dhe 3 kisha ortodokse, një Urë e Gurit , arkitektonikë osmane dhe 11 vendgjetje arkeologjike. Vendgjetjet arkeologjike, në komunën e Istogut, shtrihen në rripin e rranxës së Bjeshkëve të Thata, duke filluar nga lindja e në perëndim.